Një gazetar është dhunuar ditën e sotme në Vlorë, teksa ishte duke raportuar në një protestë të zhvilluar në qytetin bregdetar.
Policia bën me dije se rreth orës 12:30, në lagjen “Kushtrimi”, një 33-vjeçar, punonjës Ndërmarrjes së Gjelbërimit të Bashkisë Vlorë, i cili dyshohet se në gjendje të dehur, nisur fillimisht debate verbale dhe më pas ka goditur gazetarin.
Sipas “bluve” gazetari Gentian Këllçiu, ka pësuar dëmtime të lehta, ndërsa më pas ka gositur edhe një tjetër person.
33-vjeçari është proceduar penalisht për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të shtetasit A. H., 33 vjeç, banues në Vlorë. Më datë 04.02.2026, rreth orës 12:30, në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, ku ishte njoftuar zhvillimi i një proteste nga punonjësit e Ndërmarrjes së Gjelbërimit të Bashkisë Vlorë, dhe ku të pranishëm ishin edhe gazetarë të mediave të ndryshme për pasqyrimin e situatës, shtetasi A. H., dyshohet në gjendje të dehur, ka nisur fillimisht debate verbale dhe më pas fizike me shtetasin G. K., 33 vjeç, me profesion gazetar.Më pas ka goditur me grushte edhe një 67-vjeçar, duke i shkaktuar dëmtime të lehta Shtetasi A. H, u shoqërua në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe, pas përfundimit të veprimeve të para hetimore dhe komunikimit me Prokurorin e gatshëm, u procedua penalisht në gjendje të lirë, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme“”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë për dhunimin e gazetarit Këllçiu, ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve të Vlorës, e cila ka dënuar goditjen e kolegut të tyre.
Në një postim në rrjetet sociale, Edi Ruçi shkruan se dhunimi i gazetarit nga ana e punpnjësit të Ndërmarrjes së Gjelbërimit, është tentativë e pasuksesshme për të mbyllur gojën e tyre.
Po ashtu ai thekson në postimin e tij se “Gazetarët kanë për detyrë të raportojnë mbi ngjarjet e qytetit dhe, për cilindo që kërkon të pengojë këtë mision, mund t’u themi me bindje: Nuk do të keni sukses!”.
Postimi i plotë:
Shoqata e Gazetarëve të Vlorës reagon sot duke dënuar fort çdo veprim që kërkon të pengojë punën e medias në qytet.
Marrë shkas nga një situatë e paprecedentë e ndodhur ditën e sotme, ku gjatë procesit të punës, teksa gjendeshin duke raportuar mbi protestën e punonjësve të Ndërmarrjes së Pastrimit, disa prej gazetarëve të qytetit të Vlorës janë dhunuar, fyer, kërcënuar dhe intimiduar për shkak të detyrës.
Sot, një shtetas, punonjës i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, ka dhunuar fizikisht kolegun Gentian Këllçiu, ka fyer e kërcënuar edhe gazetarët e tjerë prezentë.
Mbi këtë ngjarje, që është veçse një tentativë e pasuksesshme për të mbyllur gojën, dënojmë jo vetëm individin që kryen aktin e dhunimit, por edhe reagimin e cunguar institucional.
Pavarësisht dëshirës së shprehur, nëpërmjet akteve të dhunës, për të ndaluar trajtimin dhe transmetimin e çështjeve të caktuara, ajo që mbetet e patjetërsueshme është se :për gazetarin prevalon interesi i qytetarëve, mbi të gjitha shtresave që kanë nevojë për zërin e medias.
Gazetarët kanë për detyrë të raportojnë mbi ngjarjet e qytetit dhe, për cilindo që kërkon të pengojë këtë mision, mund t’u themi me bindje: Nuk do të keni sukses!