Kolesteroli është një lloj yndyre thelbësore për funksionimin normal të trupit të njeriut. Rreth dy të tretat e tij prodhohen nga mëlçia, ndërsa pjesa tjetër merret përmes ushqimit. Megjithatë, kur kolesteroli rritet mbi vlerat normale, ai kthehet në një rrezik serioz për shëndetin.
I ftuar së fundmi në një emision televiziv, mjeku popullor dhe specialisti i njohur Ylli Merja shpjegoi dallimin mes kolesterolit “të mirë” dhe atij “të keq”, si dhe pasojat që sjell çrregullimi i tyre në organizëm.
“Kolesteroli është një përzierje grimcash yndyrore që ka funksione jetike në trup. Ai merr pjesë në ndërtimin e strukturës qelizore, duke i dhënë asaj fortësi dhe elasticitet. Kur vlerat janë normale, trupi funksionon në mënyrë të sinkronizuar. Por kur kjo balancë prishet, shfaqen sëmundjet,” shpjegoi Merja.
Sipas tij, kolesteroli i keq ka për detyrë të transportojë yndyrën drejt indeve për t’u djegur. Nëse kjo yndyrë nuk përpunohet siç duhet, ajo depozitohet në enët e gjakut. Ndërsa kolesteroli i mirë bën të kundërtën: mbledh yndyrën e patretur dhe e çon në mëlçi për t’u djegur dhe eliminuar nga organizmi.
Kolesteroli i lartë shoqërohet shpesh me tension të lartë, rrezik për zemrën dhe enët e gjakut. Përveç kujdesit në ushqyerje dhe stilin e jetesës, Merja sugjeroi edhe disa zgjidhje natyrale.
Bimë dhe kura natyrale për kolesterolin dhe tensionin:
Molla e egër – e pasur me acid malik, ndihmon në pastrimin e arterieve dhe forcimin e muskulaturës së zemrës. Mund të përdoret si çaj.
Uthulla e mollës – 1 lugë gjelle në drekë ndihmon në balancimin e yndyrave në gjak.
Çaji hibiskus – ul tensionin në mënyrë natyrale dhe të shpejtë.
Hudhra – ndihmon në zgjerimin e enëve të gjakut dhe uljen e tensionit.
Limon + çaj i ngrohtë – përmirëson qarkullimin e gjakut.
Në rastet kur tensioni rritet papritur, ai sugjeron metoda tradicionale si: futja e këmbëve në ujë të ngrohtë, çaj me limon, ose përdorimi i hudhrës dhe specit djegës për efekt të menjëhershëm në zgjerimin e enëve të gjakut.
⚠️ Kujdes: Këto këshilla janë orientuese dhe nuk zëvendësojnë trajtimin mjekësor. Personat me probleme serioze shëndetësore duhet të konsultohen gjithmonë me mjekun.