Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 1 janarit në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur “Bypass”, ku si pasojë kanë humbur jetën tre persona dhe një tjetër ka mbetur e plagosur rëndë.
Viktimat janë Klejdi Myftari, 24 vjeç, Martin Dulaj, 25 vjeç, dhe Anxhelo Ruçi, 27 vjeç. Ky i fundit ishte djali i shefit të Policisë, Rami Ruçi, si dhe nip i ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçit.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ka ndodhur rreth orës 03:18, si pasojë e përplasjes së dy automjeteve. Një mjet tip Volkswagen, me targa AB797VP, që drejtohej nga Klejdi Myftari, ku pasagjer ishte Anxhelo Ruçi, është përplasur me një mjet tip Mercedes-Benz, me targa AB552LV, që drejtohej nga Martin Dulaj.
Nga përplasja e fortë, kanë humbur jetën në vendngjarje dy drejtuesit e automjeteve, si dhe pasagjeri Anxhelo Ruçi. Ndërkohë, shtetasja Arsida Demiri, 19 vjeçe, e cila ndodhej në automjetin Mercedes-Benz, ka mbetur e plagosur dhe është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti tragjik, që ktheu festën e Vitit të Ri në zi për tre familje.