Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës pritet ta procedojë në Kuvend Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, një program ekonomik me vlerë rreth 200 milionë euro, i cili ka për qëllim të ndihmojë qytetarët më të goditur nga rritja e çmimeve dhe inflacioni.
Sipas tij, fokusi kryesor i kësaj pakete është ofrimi i mbështetjes së menjëhershme për punëtorët e sektorit privat, të cilët janë prekur ndjeshëm nga rritja e kostos së jetesës.
“Qeveria jonë po vepron me urgjencë për të siguruar lehtësim të shpejtë për pensionistët dhe punëtorët që përballen më së shumti me pasojat e inflacionit,” deklaroi Murati.
Ai theksoi se kjo paketë është hartuar për të ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe për të mbështetur ata që kanë më shumë nevojë për ndihmë financiare.
Murati shtoi gjithashtu se, përveç pensionistëve dhe punëtorëve të sektorit privat, paketa përfshin edhe përkrahje për fëmijët që përfitojnë shtesa si dhe për studentët, duke nënvizuar synimin e Qeverisë për të përfshirë të gjitha kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.
Në fund, ai bëri të ditur se kjo pako pritet të shqyrtohet dhe miratohet në Kuvend në ditët në vijim, duke u konsideruar si një nga ndërhyrjet më të rëndësishme për përballimin e sfidave aktuale ekonomike.