Kryeprokurorja Kimberly West, gjatë fjalës së saj në seancën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe bashkë të akuzuarve të tjerë, ka folur për masat ndëshkuese që mund të shqiptohen ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Ajo theksoi se, sipas Prokurorisë Speciale, dënimet e mundshme mund të arrijnë deri në 45 vjet burg, duke u bazuar në peshën e veprave penale që konsiderohen si krime të rënda lufte.
Sipas West, Zyra e Prokurorit Special nuk po kërkon përgjegjësi për struktura apo organe kolektive, por për individë të caktuar, duke u mbështetur në rolin dhe veprimet e secilit prej tyre. Ajo sqaroi se kërkesa për dënim përfshin të gjitha pikat e aktakuzës dhe reflekton kontributin individual të secilit të akuzuar.
“Bëhet fjalë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat për nga natyra e tyre janë jashtëzakonisht të rënda. Këto akuza mbeten të vlefshme dhe serioze, pavarësisht kalimit të kohës”, ka deklaruar ajo.