Reshjet e shiut do të jenë prezente përgjatë gjithë javës. Sipas sinoptikanëve, në pjesën e dytë të javës reshjet priten më intensive.
“Nga e hëna deri të mërkurën do t’i kemi reshjet më të pakta, ndërsa pjesa e dytë e javës, e enjtja dhe e premtja, përfshirë edhe fundjavën, do të sjellin reshje në thuajse gjithë territorin”, tha meteorologia Lajda Porja.
Pavarësisht reshjeve të shiut, të cilat do të jenë prezente përgjatë gjithë javës, temperaturat do të mbeten të larta, pothuajse 2–3 gradë mbi vlerat tipike të muajit.
“Sa i përket temperaturave, do të jenë relativisht të larta. Do të jetë një javë e ngrohtë dhe e lagësht. Minimalet 3–4 gradë, maksimalet 17–18 gradë”, tha ajo.
Meteorologët parashikojnë se problematikë, prej të mërkurës, do të jetë edhe parametri i erës.
“Sipas meteorologëve, do të ketë prezencë të reshjeve përgjatë gjithë muajit. Ajo çka është problematike është e mërkura, kur do të kemi një forcim të parametrit të erës. Do të ketë stuhi detare, duke sjellë probleme në trafikun detar”, shtoi Porja.
Shkurti, sipas meteorologëve, do të karakterizohet nga prezenca e reshjeve përgjatë gjithë muajit.